Mbyllet reforma, por jo negociatat për institucionet e reja

14/06/2016 00:00

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi mbylli punimet pa praninë e Partisë Demokratike dhe me votimin nen për nen të draftit, që Fatmir Xhafaj tha se është rënë dakort në 99 përqind të tij.

“Ky projekt konsiderohet sot në tërësinë e tij i gjithëpranuar nga të gjitha faktorët politikë”, u shpreh Xhafaj.

Ky votim nuk përjashton negociatat dhe diskutimet për çështjet ku palët nuk bien dakort sa u takon katër institucioneve të reja që dalin nga kjo reformë.

“Ka një çështje që është në diskutim dhe që ka të bëjë me formatin e disa prej institucioneve të sistemit të ri, pra për  Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorëve për pjesën e jogjytarëve dhe joprokurorëve që zgjidhen nga Parlamenti, ashtu edhe për Kolegjin e Verifikimit dhe Apelimit. Ramë dakort që të kalojmë projektin dhe të lëmë mundësin e hapur që në ditë që vijnë të reflektohen ndryshimet që mund të bëhen për këto pika”, tha Xhafaj.

Xhafaj sqaroi se votimi është bërë për efekte kohore, për t’i hapur rrugë procedurave të tjera parlamentare dhe për të miratuar reformën në kohë për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Top Channel