Rama-Steinmeier: Shqipëria në moment kritik, të miratohet reforma

14/06/2016 14:55

Në kohën që në Komisionin e Posaçëm maxhoranca votonte draftin për reformën në drejtësi, kryeministri Edi Rama ishte në një takim me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier.

Kryediplomati gjerman mbërriti në Tiranë në një vizitë zyrtare disaorëshe, si shprehje e interesit të Berlinit për reformimin e drejtësisë.

Në përfundim të takimit, duke iu përgjigjur interesimit mediatik, kryeministri Edi Rama vuri theksin tek rëndësia e kësaj reforme në rrugën e integrimit të Shqipërisë.

“Bashkimi Europian pret krahëhapur Shqipërinë, natyrisht duke pritur nga Shqipëria që të plotësojë të gjitha kushtet për të qenë anëtare”, tha ai.

Rama thotë se mori mbështetjen e Steinmeier për miratimin e reformës dhe ftoi edhe njëherë tjetër Partinë Demokratike që t’i bashkohet asaj.

“Jam i gëzuar që sot edhe ministri, në mënyrë të paekuivokë cilësoi miratimin e kësaj reforme dhe që opozita të bëjë hapat e veta për të miratuar një draft që është produkt i një bashkëpunimi me BE dhe Shtetet e Bashkuara e ku Gjermania ka patur qysh në fillim një vëmendje të veçantë”, u shpreh Rama.

Nga ana e tij, ministri Steinmeier ka vlerësuar se, Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit në BE dhe nuk mund t’i lejojë vetes gabime.

“Do të doja të përsërisja atë që thash më herët me homologun tim, Gjermania ka respekt mjaft të madh për rrugën e reformave që është ndërmarrë, sidomos në sektorin ekonomik, që do të sjellin investime më të suksesshme të sipërmarrjeve gjermane në Shqipëri”, ka thënë Steinmeier.

Por më tepër interes, ka vijuar ai, do të kishim që Shqipëria të gjejë rrugët e veta për krijimin e një shteti demokratik e sa më të qëndrueshëm.

“Dhe pikë kyçe në këtë kontekst do të ishte lufta kundër korrupsionit, përmes miratimit të reformës në drejtësi. Nuk është hera e parë që diskutohet për këtë tematikë, por ndodhemi në një fazë vendimtare. Në vjeshtë KE do të shqyrtojë pritshmëritë nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe kjo përbën një moment kritik”, ka vijuar shefi i diplomacisë gjermane.

Sipas tij, “jemi në fazën e një dritareje të hapur të oportuniteteve dhe palët mund të gjejnë gjuhën e përbashkët”.

“Jemi në një pikë ku Shqipëria nuk ka qenë kurrë më parë, një produkt që nuk është vetëm shqiptar por edhe me ekspertë ndërkombëtarë. Shpresoj që forcat politike të gjejnë forcat për të arritur konsensusin, pasi është më e mira për qytetarët shqiptarë që kjo reformë të miratohet”, ka shtuar Steinmeier.

Top Channel