Miratohen 3 plane territoriale; hartohen plani i përgjithshëm, bregdeti dhe “Durrana”

14/05/2016 14:15

Shqipëria ka për herë të parë tre plane të rëndësishme mbi të cilat do të planifikohet zhvillimi i territorit në 15 vitet e ardhshme.

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi sot Planin e Përgjithshëm Kombëtar, atë të Bregdetit dhe zonën ekonomike Tiranë-Durrës, të njohur si “Durrana”.

Për zv.kryeministrin Niko Peleshi, këto tre plane janë garanci për mospërsëritjen e kaosit dhe informalitetit.

“Mbi 400 mijë ndërtime informale apo formale të dhëna në mënyrë të gabuar, sepse shumë kryetar bashkish as nuk kishin ku ta bazonin dhënien e lejeve zhvillimore mbi territorin e Shqipërisë. Pa e ekzagjeruar, besoj se po fillon një kohë tjetër. Sot jemi duke ndërtuar me të vërtetë një model të ri”, deklaroi Peleshi.

“Sa i përket zbatimit dua të them se sfida është e hapur për të gjithë ne, por edhe për njësitë vendore, një pjesë e mirë e të cilave janë duke hartuar planet vendore”, tha nga ana tjetër ministrja e Planifikimit Urban, Eglantina Gjermeni.

Plani i Përgjithshëm Kombëtar do t’i shërbejë hartimit të planeve vendore që brenda vitit do të miratohen për 31 bashkitë më të rëndësishme në vend, nga veriu në jug, ndërsa 30 të tjera janë aktualisht në fazë konsultimi.

Top Channel