Obeziteti, sfida e re e planetit

14/06/2016 00:00

Kequshqimi ka përfshirë botën i nxitur nga obeziteti dhe uria. Ky është rezultati i raportit për ushqimin global 2016, në të cilin shkruhet se 44% e vendeve të botë po përballen me nivele shumë serioze të kequshqyerjes dhe obezitetit.

Kjo do të thotë se një në tre njerëz në botë vuan nga një formë kequshqyerje. Studimi u krye në 129 vende dhe sipas tij të qenit i kequshqyer është normalja e re në planet.

Tradicionalisht, kequshqyerja lidhet me fëmijë që vdesin urie, nuk rriten normalisht dhe infektohen lehtësisht.

Raporti thotë se në këtë kuadër ka ende probleme të mëdha, por është shënuar progres shpresëdhënës. Ndërkohë, hartuesit e raportit theksojnë sfidën kolosale globale që paraqet obeziteti në rritje. Kjo rritje po ndodh në çdo zonë të botës dhe në çdo vend.

Raporti shkruan se qindra miliona njerëz janë të kequshqyer sepse janë mbipeshë dhe kanë sasi të tepruara sheqeri, kripe apo kolesteroli në gjak.

Shkencëtarët pas raportit thanë se kequshqyerja nuk paraqitet detyrimisht nga njerëzit e dobët që s’kanë çtë hanë, por edhe nga ata që janë mbipeshë dhe ky fenomen është i frikshëm. Shkencëtar thonë se shumë vende kanë shënuar progres në luftën kundër urisë, ndërsa nuk po bëhet asgjë kundër obezitetit dhe sëmundjeve që e pasojnë si diabeti apo ato të zemrës.

Analistët thonë se ndërsa lufta ndaj urisë është e vështirë, ka shanse shumë të mira për tu fituar duke ushqyer njerëzit. Ndërsa ajo kundër obezitetit është detyrimisht sfidë më kolosale, pasi mund të fitohet vetëm përmes ndërgjegjësimit, duke qenë se njerëzve s’mund ti heqësh ushqimin nga tryeza.

Top Channel