Zvicër-Rumani, helvetët synojnë fitoren

14/06/2016 00:00

Zvicra vijon përgatitjet e saj në Euro 2016 dhe sfida e radhës së saj është ajo me Rumaninë.

Helvetët e dinë shumë mirë që kjo ndeshje merr një vlerë të madhe pasi mund të sigurojnë kualifikimin për në raundin e 1/8 të finaleve të këtij turneu.

Portieri Sommer, që shpëtoi Zvicrën nga goli i barazimit në përballjen me Shqipërinë, në një konferencë për shtyp deklaroi se sfida me Rumaninë do të jetë e vështirë, por skuadra e tij do të kërkojë fitoren.

“Objektivi ynë, padyshim është të fitojmë, por e dimë që Rumania është një skuadër e vështirë për t’u përballur”, tha Sommer. “Ka një mbrojtje të mirë dhe futbollistët e saj janë të bashkuar në fushën e lojës dhe këto i pamë edhe në sfidën që Rumania luajti me Francën duke i hapur shumë probleme”.

Sommer foli edhe për ngjarjet e dhunshme që janë shfaqur këto ditë në rrugët e Marsejës, Nisës dhe Lillës duke mos e fshehur zhgënjimin e tij.

“Kjo situatë me tifozët në Francë është vërtet e trishtuar”, vijoi Sommer. “Pashë gjithçka në median televizive dhe atë të shkruar. Nuk kemi parë asgjë të tillë nga tifozët zviceranë, ata janë fantastikë pasi e duan futbollin”.

Top Channel