Steinmeier: Opozita, jo vetëm refuzim. Dështimi, pasoja për integrimin

14/06/2016 00:00

Maxhoranca dhe opozita shqiptare morën një mesazh të fortë në një moment thelbësor për fatet europiane të vendit dhe kulmin e debateve për reformën në drejtësi. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, ministri i Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier përsëriti qëndrimin europian të bërë edhe pas takimit Rama-Basha për votimin e draftit për reformën.

“Reformat kanë kosto që mund të reflektohen edhe në zgjedhje, por edhe në opozitë nuk mund të vihet në pushtet duke refuzuar gjithçka. Një qeveri duhet të marrë risqet përkatëse për reformat. Po ashtu, edhe opozita nuk duhet të mendohet për avantazhe afatshkurtra, por për ato afatgjata për të mirën e vendit. Shpresojmë që reforma në drejtësi të mos bëhet pengesë për rrugën e vendit drejt BE-së”, deklaroi Steinmeier.

Diplomati gjerman pas takimit me homologun Ditmir Bushati tregoi edhe kostot që do të ketë vendi ynë nëse reforma nuk miratohet nga klasa politike.

“Kjo është një situatë ku të gjitha palët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Agresiviteti në debate nuk e ndihmon vendimmarrjen. Nëse nuk do të miratohet reforma, do të duhet të kalojë kohë përpara se të merrni një opinion pozitiv për afrimin tuaj me BE-në”, nënvizoi Steinmeier.

Nga ana e tij, ministri Bushati zgjodhi të ndajë me publikun këshillat e diplomatit gjerman, ndërsa evidentoi edhe favoret që do t’i sjellë reforma shkëmbimeve tregtare dhe marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë.

“Mora këshillën nga kolegu gjerman për të parë nga e ardhmja dhe për t’i dhënë fund tranzicionit. Reforma është për qytetarët dhe jo për partitë politike. Drafti është ambicioz dhe kirurgjikal, nëse miratohet do ta shkëpusë Shqipërinë nga tranzicioni dhe do të shërojë shqiptarët nga disa sëmundje, si ajo e korrupsionit. Lajmi i mirë është që një pjesë e elitës po ndjen efektet e reformës në drejtësi, ka solidaritet. Kjo reformë mbështetet nga mbi 90% e qytetarëve”, tha Bushati.

Top Channel