Basha: Pa vendet e rezervuara, drejtësia në duart e krimit

14/06/2016 11:25

Kryetari i PD, Lulzim Basha vazhdon ta cilësojë si të papranueshme variantin për reformën në drejtësi nëse nuk garantohen të ashtuquajturat “vende të rezervuara”.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Basha ka deklaruar se të votosh një reformë pa këtë opsion do të thotë të dorëzosh drejtësinë tek pushteti i inkriminuar.

“Do të thotë të dorëzosh drejtësinë jo tek një kryeministër dosido, por tek Edi Rama, që i ka quajtur killer gjyqtarët që po hetojnë Tahirin, që kërcënoi prokuroren që po hetonte makinën që Tahiri u kishte dhënë Habilajve dhe që iu bën fresk bandave, duke iu siguruar akses në një drejtësi të shantazhuar politikisht”, ka thënë Basha.

Ai ka ritheksuar se, “PD ka vetëm një kërkesë, zbatimin e plotë të rekomandimit numër 88 të Komisionit të Venecias”, për të cilin sipas tij Rama ka shprehur dakordësinë e tij kur ishte në Uashington.

“Nuk kemi asnjë kërkesë e asnjë kusht tonin. Nëse pala tjetër bie dakord, ne jemi gati ta miratojmë që sot draftin. Nëse pala tjetër nuk bie dakord, atëherë tungjatjeta e mirupafshim”, ka shtuar Basha.

Top Channel