Meta mbledh kryesinë e LSI: Votojmë çdo konsensus PD-PS

14/06/2016 00:00

Ilir Meta ka drejtuar paraditen e kësaj të marte mbledhjen e kryesisë së LSI-së, në fokus të së cilës, siç bëri të ditur vetë ai në fillim të mbledhjes, ka qenë reforma në drejtësi.

Në një komunikim me mediat në përfundim të seancës, Meta ka bërë të ditur qëndrimin e partisë së tij se, është gati të votojë çdo konsensus të arritur nga PD dhe PS mbi reformën në drejtësi, të bazuar natyrisht në rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“LSI e ka theksuar që në fillim se baza e konsensusit do të ishte Komisioni i Venecias, pasi dihet që politika jonë, e polarizuar dhe me frymë të thellë mosbesimi, e ka patur të vështirë të bjerë dakord edhe për çështje madhore”, ka deklaruar Meta.

Megjithatë, ka vijuar kreu i Kuvendit, palët kanë pranuar Venecian si institucionin kryesor të ligjit dhe së drejtës dhe LSI do të votojë një reformë sipas standardeve të këtij komisioni, “edhe nëse do të dështonte konsensusi me opozitën për faj të kësaj të fundit”.

“Konsensusi i plotë për gjithë paketën kushtetuese është arritur, përveç një çështjeje të vetme të ngritur nga opozita. Prandaj, në këto orë e minuta që kanë mbetur, ne insistojmë për dialog politik dhe gjetjen e konsensusit sipas Venecias”, ka vijuar Meta.

Më tej Meta ka paralajmëruar se, nëse do të jetë e nevojshme mazhoranca do ta votojë edhe e vetme reformën në Kuvend, ndërsa e ka quajtur “qesharake” idenë e një referendumi.

“Të hedhim në referendum një propozim të opozitës është qesharake. Nëse ata nxjerrin sebepe njëri pas tjetrit, ne kemi të drejtë të shkojmë në parlament për të votuar”, ka shtuar Meta. 

Top Channel