Anglia, e shqetësuar për sigurinë e tifozëve pas dhunës me rusët

14/06/2016 09:20

Autoritetet angleze kanë shprehur shqetësime serioze për sigurinë e tifozëve të tyre nga tifozët rusë, që pritet të grumbullohen sërish për ndeshjen e radhës të Euro 2016.

Tifozët anglezë pritet të mblidhen në Lile, një ditë përpara ndeshjes së të enjtes kundër Uellsit, në afërsi të qytetit të Lensit, ndërsa Rusia do të luajë kundër Sllovakisë në të njëjtin qytet të mërkurën.

Në një letër dërguar EUFA-s lidhur me kërcënimin, presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Greg Dyke ka hedhur poshtë pretendimet se tifozët anglezë ishin fajtorë për skenat brenda stadiumit pas ndeshjes me Rusinë.

“Në letrën tuaj thuhej se tifozët anglezë ishin pjesërisht përgjegjës për incidentet e dhunshme në fund të ndeshjes me Rusinë”, ka deklaruar Dyke.

“Kjo bie në kundërshtim si me pamjet filmike të regjistruara, ashtu dhe me faktin se strukturat tuaja të pavarura disiplinore kanë nxitur sanksione kundër Sindikatës Ruse të Futbollit”, ka vijuar Dyke.

Prokurorët francezë deklaruan se 150 huliganë rusë ishin përgjegjës për aktet e dhunës në Marsejë. 6 tifozë anglezë u arrestuan dhe u burgosën pas ndeshjes mes dy vendeve, ndërsa dy rusë janë arrestuar.

Top Channel