Vriten dy policë në Paris, ministri i Brendshëm francez: Akt terrorist!

14/06/2016 00:00

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, dhe Presidenti François Hollande, i dhanë ngjyrimin e aktit terrorist, sulmit që i kushtoi jetën oficerit të policisë, Jean-Baptiste Salvaing, si dhe partneres së tij, edhe ajo police, në Magnanville pranë Parisit.

Agresori e qëlloi efektivin për vdekje me një thikë, e mori peng gruan dhe një fëmijë, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë. Trupi i gruas u gjet i pajetë në banesë. Sipas raporteve në mediet vendase, sulmuesi ishte dënuar në vitin 2013 për aktivizim në grupe xhihadiste me lidhje në Pakistan.

Burime jozyrtare e identifikojnë atë si 25-vjeçarin Larossi Abballa, i cili jetonte në afërsi të Mantes-La-Jolie dhe ishte dënuar me 3 vite heqje lirie për “bashkëpunim kriminal me qëllim përgatitjen e një akti terrorist”.

“Qeveria është mobilizuar totalisht, prej muajsh tashmë, në përballjen me një kërcënim të cilin nuk e kemi ndaluar, duke pasur parasysh se është i një niveli vërtet të lartë. Është i një niveli të lartë në Francë, është i një niveli të lartë në Europë, është i një niveli të lartë në të gjithë Perëndimin, pasi pamë çfarë ndodhi edhe në Shtetet e Bashkuara përgjatë këtyre 48 orëve të fundit”, tha Bernard Cazeneuve, ministër i Brendshëm i Francës.

Agjencia e lajmeve “Amac”, e lidhur me ISIS-in, pretendon se sulmin e ndërmori një luftëtar i grupit ekstremist, e nëse kjo konfirmohet, do të përbëjë të parën goditje të militantëve në Francë që prej vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas masakrës së nëntorit në Paris.

Ajo ndodh për më tepër në kohën kur vendi është në gatishmëri të lartë si mikpritës i kampionatit europian të futbollit. Pranisë së forcave policore në kryeqytet i është shtuar dhe ajo e trupave ushtarake, të cilat kanë nisur të patrullojnë vendet ikonë të tij, siç është Muzeu i Luvrit, Harku i Triumfit dhe shëtitorja “Champs Elysees”.

Top Channel