Dhuna në Marsejë, përgjegjës 150 huliganë rusë

14/06/2016 00:00

Një grup huliganësh rusë qëndrojnë pas dhunës së ndodhur gjatë ndeshjes Rusi-Angli në stadiumin e Marsejës. Sipas prokurorit Brice Robin, 150 tifozë rusë ishin të mirëpërgatitur për veprime tepër të dhunshme.

“Bëhet fjalë për 150 mbështetës rusë që në fakt ishin huliganë. Këta njerëz ishin të përgatitur për aksione super të shpejta e të dhunshme”, tha ai.

Kjo gjë sipas prokurorit e bëri edhe më të vështirë arrestimin e huliganëve, edhe pse siç tha, nuk bëhej fjalë për profesionistë por për persona tepër ekstremë. Autoritetet franceze po shqyrtojnë me kujdes fotografitë bashkë me kolegët e huaj, në përpjekjen për të identifikuar personat e përfshirë në trazira.

Dy tifozë anglezë janë burgosur pasi qëlluan policinë me shishe, ndërsa 4 të tjerë po përballen me gjykim të menjëhershëm. Ndërkohë dy rusë u arrestuan për zbritje në fushë. Të paktën 35 persona u plagosën, 4 prej të cilëve në mënyrë serioze dhe në total prej 20 personash u vunë në pranga pas trazirave 3 ditore në qytetin francez.

Sekretarja për Punët e Brendshme në Britani, Thereza May, ia faturoi përgjegjësinë më të madhe për dhunën tifozëve rusë, por tha se disa shtetas anglezë kishin zhgënjyer vendin e tyre.

Ndërkohë, trajneri i kombëtares angleze, Roy Hodgson, dhe kapiteni, Wayne Rooney, i bënë thirrje adhuruesve të sillen mirë.

Top Channel