Nisje fantastike për Italinë në Euro 2016, mposht 2-0 Belgjikën

13/06/2016 00:00

Italia mposhti 2-0 Belgjikën, skuadër kjo që në fillim të këtij turneu cilësohej si surpriza e Francë 2016. Formacioni i Contes arriti të mposhtë jo vetëm yjet belg, por edhe të gjithë skeptikët, të cilët e sulmuan trajnerin për lojtarët e ftuar në kombëtare për këtë europian.

Një ritëm i mirë i lojës në 45 minutat e para, me Italinë që mbyllej mirë në mbrojtje dhe provonte kundërsulmin, ndërkohë që Belgjika tentoi më shumë të  rrezikonte me gjuajtje nga distanca. Avantazhi i “azurrëve” erdhi në minutën e 32 me Giaccherini që dërgoi në rrjetë një top të ardhur nga Bonucci.

Në pjesën e dytë, belgët rritën presionin në gjysmëfushën italiane. Talentet e rinj të WIlmots provuan me të gjitha mënyrat për të barazuar, por tentativat e tyre të shumta nuk dhanë asnjë rezultat.

Në fundin e ndeshjes, kundërsulmi i shpejt i italianëve solli dhe golin e dytë me autor Pelle. Një nisje e mirë kjo për “azurrët” aq sa dhe vetë konte nuk mund ta kishte imagjinuar. Pas asaj në vitin 2000, kjo është hera e dytë që Italia e nis një kampionat europian me fitore.  

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të këtij grupi Irlanda dhe Suedia e kanë nisur me një barazim 1-1 Euro 2016.

Një ndeshje, e cila u luftua deri në fund, por që prodhoi vetëm 2 gola. Në pjesën e parë Irlanda luajti mirë dhe shënjestroi traversën me Hendrick, ndërkohë që në fillimin e të dytës Hoolahan zhbllokoi rezultatin. Barazimi për Suedinë u shënua në minutën e 71 dhe mban firmën e Clark, i cili shndërroi në autogol një krosim të Ibrahimovic.

FOTO GALERI
1/10
Nisje fantastike për Italinë në Euro 2016

Top Channel