Masakra në Orlando, autori me probleme mendore

13/06/2016 00:00

Masakra në klubin e homoseksualëve në Orlando uli flamurin amerikan në Uashington në gjysmë shtizë. Sekretari i Shtetit John Kerry tha se sulme të tilla nuk përfaqësojnë kulturën e kombit amerikan.

“Gjëja më e keqe që mund të bëjmë është të drejtojmë gishtin ndaj grupeve apo feve të caktuara. Ai ishte një akt padyshim i mbushur me urrejtje të thellë dhe dëshirë për të ndjellë panik dhe terror të njerëzit”, tha Kerry.

Autoritet amerikane kane vijuar me hetimet nëse Omar Mateen që vrau 50 vetë e plagosi 53 të tjerë në klubin e natës “Pulse Club”, ishte ndihmuar nga dikush, por nuk zbuluan asnjë lidhje apo person që mund të përbëjë ende rrezik aktual.

29-vjeçari u përshkrua si njeri i paqëndrueshëm mendërisht, i dhunshëm e i mbushur me urrejtje.

Dëshmitarë thonë se ai ishte zotuar për besnikëri ndaj udhëheqësve të ISIS, por babi i tij tha se i biri nuk ishte i radikalizuar, por se kishte ndjenja të forta anti-homoseksualëve.

Shteti Islamik përfitoi nga rasti dhe në një regjistrim audio deklaroi se një nga ushtarët e kalifatit ishte përgjegjës për sulmin në Orlando.

Por, për autoritet edhe pse grupi mori përgjegjësinë, kjo nuk do të thotë se ata kishin drejtuar sulmin pasi nuk ka asnjë provë që tregon koordinim të mëhershëm ndërmjet autorit të masakrës dhe Shtetit Islamik.

Top Channel