INSTAT: Papunësia në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit

13/06/2016 00:00

Instituti i Statistikave raportoi se papunësia shënoi në tremujorin e parë të këtij, nivelin më të ulët të tre viteve të fundit. Sipas INSTAT, për periudhën janar mars, shkalla e papunësisë për popullsinë mbi 15 vjeç zbriti në 16.6 për qind, që përbën nivelin më të ulët nga tremujori i parë i vitit 2013.

Krahasuar me tremujorin paraardhës norma e papunësisë është ulur me 0.74 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar ajo ka rënë me 0.3 pikë përqindje.

INSTAT raporton se ulja e papunësisë i dedikohet rritjes së punësimit në ekonomi, pasi edhe shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës po ashtu është rritur.

Sipas shifrave, krahasuar me tremujorin e mëparshëm punësimi rezulton të jetë rritur me 2,1 %, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ai është zgjeruar me 5.2 për qind.

INSTAT raporton se krijimi i vendeve të reja të punës është udhëhequr nga sektori i industrisë dhe ai i shërbimeve. Në këto dy degë të ekonomisë punësimi është rritur respektivisht me 15,5 %  dhe 6 % krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015.

Sipas INSTAT, këto zhvillime në tregun e punës kanë ndikuar pozitivisht edhe të rinjtë, papunësia e të cilëve u ul në tremujorin e parë të vitit me 1.8 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit 2015.

Top Channel