Rroshi: Arrestimi im, politik. Do provoj pafajësinë

13/06/2016 00:00

Elvis Rroshi këmbëngul në pafajësinë e tij dhe vendimin e Prokurorisë për ta arrestuar atë e quan krejtësisht politik.

“E mirëpres ballafaqimin me drejtësinë e Sali Berishës dhe do të provoj gjithë pafajësinë time për këtë poshtërsi”, nis reagimin e tij në Facebook, kryebashkiaku i dorëhequr i Kavajës.

Rroshi thotë se ka angazhuar avokatë italianë për të zbardhur gjithë këtë çështje dhe sipas tij, avokatët i kanë shprehur bindjen se do ta fitojnë atë.

Sipas Rroshi, nga Prokuroria nuk ka asgjë të re në akuzat e hedhura ndaj tij.

“Prokuroria nuk ka provuar asgjë përveç atyre që kam deklaruar vetë. Më akuzojnë për një fakt që e kam ekspozuar vetë publikisht dhe që për drejtësinë italiane është nul. Më akuzojnë për dëbime, ku jam dëbuar si mijëra emigrantë të tjerë në tufë, po ku nuk kam bërë asnjë gjyq dhe s’kam marrë asnjë dënim”, shkruan ai.

Rroshi e quan kriminal arrestimin e tij, duke thënë se është prangosur për deklarim të rremë pa patur asnjë provë. Kryebashkiaku i dorëhequr i Kavajës e mbyll reagimin e tij me një premtim.

“Kavajën Sali Berisha nuk ka për ta marrë më edhe sikur shtatë pashë nën dhe të më fusin mashat e tij. Këtu do të jemi!”, shkruan Rroshi.

Top Channel