Arrestohet Elvis Rroshi, Prokuroria: Falsifikoi dokumentet

13/06/2016 00:00

Policia arrestoi kryebashkiakun e dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi pas një vendimi të shpallur nga gjykata që dha në mungesë të tij masën arrest me burg, pas një kërkese të Prokurorisë. Elvis Rroshi dyshohet se ka shkelur ligjin për dekriminalizimin.

Ai dyshohet të ketë falsifikuar dokumentet, pasi në formularin e vetëdeklarimit ka fshehur të dhëna që tregojnë se ai ka qenë i dënuar në shtetin italian. Ky vendim i Gjykatës Penale vjen menjëherë pasi shteti italian i ka kthyer përgjigje Prokurorisë së Përgjithshme për dëshminë e penalitetit të Elvis Rroshit.

Pas dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit, Elvis Rroshi thoshte se nuk e mbante mend se përse ka qenë i dënuar në Gjermani, të dhënat hodhën dyshime se Roshi kishte qenë po ashtu me probleme me drejtësinë edhe në Itali.

Elvis Rroshi u vendos nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme nga sektori i posaçëm i dekriminalizimit për dyshimet se kishte konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Sipas prokurorisë, rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar një dënim të dhënë për veprën e përdhunimit në Campo Basso, por ka pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit.

Po ashtu, sipas akuzës, ai është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran në vitet 1993 dhe 1995, dhe nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Zyrihut dhe është dëbuar sërish.

Avokati i Elvis Roshit pas takimit me të dhe njohjen e akuzës në mjediset e drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku edhe u soll pas arrestimit, sqaroi përpara medias se Roshi nuk ka patur dijeni për dënimin në Itali, dhe për ndalimin në Zvicër nuk ka pasqyruar asnjë të dhënë për shkak se ky shtet nuk është në Bashkimin Europian. Detyrimi sipas avokatit Dheothori Sollaku në vetëdeklarim kanë qenë vetëm vendet e BE-së.

“Masa e sigurimit arrest me burg është e pajustifikuar. Është dënuar sipas të dhënave të Prokurorisë me 1 vit e 4 muaj burg, por është një proces që është zhvilluar në mungesë të tij, as nuk është njoftuar ndonjëherë, as nuk iu është komunikuar ndonjëherë vendimi i dënimit. Në këto kushte nuk mund të bëhet fjalë për mos deklarim të të dhënave kur një person nuk e di. Ju e dini që Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian dhe në këto kushte nuk ka qenë detyrë e personave për t’u vetëdeklaruar, për të sqaruar për prob;emet me ligjin në këto vende”, u shpreh Sollaku.

Avokati deklaroi se do të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës.

Top Channel