Daja në krye të Tiranës edhe për dy vite; Halili: Merkato të fuqishme

13/06/2016 00:00

Në një konferencë për shtyp Presidenti i Tiranës, Refik Halili ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me trajnerin Ilir Daja për drejtimin e ekipit.

“Kemi rënë dakord që të vazhdojmë dhe nuk do të jetë për një sezon, por për dy sezone dhe pa asnjë lloj kushti”, kështu u shpreh Presidenti i Tiranës, Refik Halili.

Rifillon kështu aventura e Ilir Dajës me skuadrën bardheblu, e cila në rast dënimi të Skënderbeut do ta përfaqësojë Shqipërinë në Europa Ligë.

Kjo gjë e ka përshpejtuar procesin e ndërtimit të ekipit, por si presidenti ashtu edhe trajneri pohojnë se do të tregohen të kujdesshëm.

“Do të jemi shumë të kujdesshëm në merkato dhe do të bëjmë një merkato të fuqishme. Por bishtin e ekipit do ta ruajmë”, theksoi Presidenti Halili.

“Besoj se një ekip si Tirana që ka objektive, nuk mund të ndërtohet çdo vit. Do fusim edhe rivalitetin, në mënyrë që lojtarët që zbresin në fushë të meritojnë bluz[n që mbajnë veshur”-vuri në dukje trajneri Refik Halili.

Paraditen e të hënës, në stadiumin Selman Stërmasi ka ardhur edhe një delegacion nga UEFA për të parë nëse në këtë impiant mund të luhet një ndeshje e Europa Ligë.

Top Channel