PD, Duma: Skafisti i “9 Janarit”, drejtor në portin e Durrësit

13/06/2016 00:00

Sekretarja e marrëdhënieve me publikun në PD, Grida Duma ka deklaruar këtë të hënë se, inkriminimi që kryeministri Rama po u bën zyrave publike sa vjen e bëhet më tronditës.

Sipas saj, kryeministri vijon të emërojë persona me precedentë të rëndë penalë në postet kyçe të administratës.

“Si për shembull të bësh drejtor të Transportit për gjithë Sarandën, Balilin, trafikantin më të madh të drogës, apo kur vendosi në krye të Autoritetit Ushqimor një të dënuar për prodhime pirate në bodrume. Por më e rënda në galerinë e madhe të inkriminimit të Ramës është një rast që kemi mësuar së fundmi. Artur Rrokaj, njëri nga skafistët e 9 janarit 2004, përgjegjës për humbjen e 28 jetëve, i dënuar nga drejtësia për këtë krim, me rilindjen është bërë shef në kapitenerinë e Portit të Durrësit”, ka deklaruar Duma.

Ajo është shprehur se, është absurde që skafistit të 9 janarit, “një prej dramave më të mëdha të shqiptarëve në përpjekje për të arritur Evropën”, t’i jetë besuar kontrolli i portit të Durrësit.

“Por ja që kjo ka ndodhur. Mund ta gjeni edhe me emrin Arten, se e ka ndërruar. Por është i njëjti. Është përgjegjësi për 28 të jetët e humbura në ujin e ftohtë të janarit, të cilit Edi Rama i ka besuar kapitenerinë e portit më të madh shqiptar. Ky është pra shteti i Edi Ramës. Ky është pushteti që ai na instaluar në vend, me të inkriminuar, trafikantë, tutorë e vrasës”, ka thënë Duma.

Top Channel