Reforma, Xhafaj: Nesër votojmë draftin në komision. Formula, 2/3

13/06/2016 00:00

Kryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj ka deklaruar pas mbledhjes së radhës se, sot është bërë shpërndarja e draftit ndërsa nesër komisioni do të kalojë në votim.

“Sot në mëngjes kemi shpërndarë draftin për shqyrtim në komisionin e posaçëm parlamentar. Mbledhja e komisionit do të vijojë gjatë ditës së nesërme. Komisioni do të shqyrtojë dhe votojë draftin nen për nen dhe në tërësi. Drafti që do të jetë në tavolinën e deputetëve është një reflektim mbi draftin e paraqitur në komision më datë 4 maj. Ai i është nënshtruar një debati dhe votimi në parim siç është bërë publike”, ka deklaruar Xhafaj.

Ai ka bërë me dije se ka patur edhe një shqyrtim të çdo neni në parim, duke debatuar secilin prej neneve të këtij projekti në nivelin politik.

“Në përfundim të gjithë këtij dialogu politik dhe në përfundim të konsensusit politik të arritur sipas propozimit të bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, është mundësuar që të kemi një draft që merr në konsideratë problematikat e konstatuara gjatë dialogut dhe në mënyrë të veçantë të gjithë ato elementë që janë pjesë e atij dokumenti që synonte konsensusin  për projektin kushtetues”, ka thënë Xhafaj.

I pyetur nëse e ruan ky draft shumicën prej 2/3 apo 3/5, kryetari i komisionit është përgjigjur: “Është një shumicë e pranueshme, e aplikueshme si standard dhe përsa kohë që është e tillë dhe përsa kohë që u rekomandua dhe ishte pjesë thelbësore e dokumentit të paraqitur nga ndërkombëtarët, si një zgjidhje konsensuale. Ne e kemi pranuar dhe sot në respekt edhe të nevojës për konsensus dhe të dakordësisë së arritur me të gjithë faktorët e përfshirë në këtë proces, në projekt është me 2/3”, ka sqaruar Xhafaj.

Sikurse kryeministri më herët, edhe deputeti socialist ka hedhur poshtë mundësinë e reflektimit për vendet e rezervuara.

“Vendet e rezervuara nuk janë propozim që vijnë nga ndërkombëtarët në dokumentin për konsensus. “Vendet e rezervuara” është një formulë së bashku me disa formula të tjera që mund të konsiderohen në kushtet që nuk funksionojnë shumicat e cilësuara, apo në funksion të nevojës seleksionuese brenda trupave parlamentare për të arritur tek një shumicë e cilësuar sa më cilësore. Dhe vendet e rezervuara nuk kanë qenë kurrë një gjë e dakordësuar midis palëve, në mënyrë më absolute dhe nuk është “vendet e rezervuara” një propozim i definuar nga Venecia si zgjidhje”, ka thënë Xhafaj.

Top Channel