Nga shiu në vapë, në fundjavë deri në 40 gradë

13/06/2016 16:05

Mbërrin vala e parë e të nxehtit afrikan në vendin tonë. Pas reshjeve të shiut, territori i vendit do të përfshihet nga një valë të nxehti ku tempertaurat pritet të shkojnë deri në 39-40 gradë Celsius.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, i gjithë territori u përfshi nga masa ajrore të presionit të ulët, të cilat shkaktuan reshje shiu, stuhi dhe përmbytje në disa qytete, si dhe dhe uljen e temeperaturave maksimale me 4 gradë Celsius.

“Sot janë regjistruar reshje me intensitet të lartë. Në Lezhë me rreth 80 mm, në Vlorë 60 mm dhe në Tiranë me 40 mm shi. Këto shkaktuan përmbytje, pasi reshjet ishin me intensitet të lartë”, deklaron meteorologia Rezarta Xhakollari.

Sipas meteorologëve, duke nisur nga pasditja e së hënës intensiteti i reshjeve do të nisë të bjerë, por ato do të jenë të pranishme deri ditën e mërkurë, kur dhe do të nisë rritja e temperaturave.

“Ditën e enjte i gjithë gadishulli i Ballkanit dhe sidomos Shqipëria do të përjetojë një valë të nxehti, të parën e të nxehtit afrikan. Do të jetë një rritje graduale, por të shtunën e të dielën, sidomos në jug të vendit, temperaturat do të shkojnë në 39-40 gradë Celsius”, saktëson Xhakollari.

Ndonëse jemi në stinën e verës, temperatura kaq të larta saç priten këtë fundjavë janë të pazakonta për muajin qershor.

Top Channel