Dëme në energjetikë, bllokohen disa rrugë nga rrëshqitja e dherave

13/06/2016 00:00

Moti i keq ka lënë në errësirë me dhjetëra fshatra në Durrës, Shkodër, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Kukës, Burrel, Fier, Korçë dhe Vlorë. OSHEE ka angazhuar në terren rreth 1.700 punonjës për rikthimin e energjisë, ndërsa vëmendje i është kushtuar hidrovorëve, spitaleve dhe objekteve administrative.

Grupet e punës po punojnë për riparimin e defektit në linjën 35 kV, Jagodinë-Karavasta, që furnizon nënstacionet Libofshë, Ardenicë dhe Karavasta.

Sa u përket akseve kombëtare rrugore, në Qarkun Tiranë, uji ka shkaktuar probleme në Shkëmbin e Kavajës dhe Malin e Robit, ku pusetat janë bllokuar nga mbeturinat. Në të dy pikat po punohet nga kontraktori për largimin e ujit nga rruga.

Më në Jug, në rajonin e Gjirokastrës shirat e rrëmbyer kanë nxjerrë nga shtrati një perrua në zonën e Radhimës, që ka shkaktuar bllokimin e rrugës. Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se po merren masa për normalizimin e gjendjes.

Më në Veri, ku kishte rënie të materialeve inerte, dhe në Rrugën e Kombit nuk ka probleme për qarkullimin e automjeteve.

Top Channel