Ligji i ri për falimentin, paketa ligjore synon uljen e kredive të këqija

13/06/2016 15:35

Në komisionet parlamentare ka mbërritur paketa ligjore që ka për qëllim uljen e nivelit të kredive me probleme. Draftet janë dakordësuar me FMN, Bankën Botërore dhe Bankën e Shqipërisë.

Ligji kryesor është ai i falimentit, një draft krejtësisht i ri, i cili lehtëson procedurat dhe bën përcaktime të qarta. Për herë të parë vendoset radha e kreditorëve që likuidohen, duke i dhënë përparësi bankave për garancitë pasurore.

Nga ana procedurale, ligji i falimentit do të preferohet si i vetmi ligj që rregullon këtë procedurë në raport me ligjin mbi tatimet dhe taksat.

Parashkiohet funksionimi i gjykatave të falimentit, po ashtu për herë të parë kërkohet ngritja e agjencisë së mbikëqyrjes së falimentit, e cila do të monitorojë punën e administratorëve dhe kujdestarëve të caktuar nga gjykata, për të cilët do japë dhe vlerësimin.

Projektligji parashikon zgjerimin e rrethit të subjekteve tek të cilët shtrin efektet e veta falimentimi, ku përfshihen: personat fizikë të tillë si individë, konsumatorë apo tregëtarë; personat juridikë privatë ashtu edhe publikë, fitimprurës ose jo.

Në faliment mund të përfundojnë edhe njësitë administrative vendore. Një rol të rëndësishëm në proces marrin dhe institucionet publike si prokuroria dhe KLSH, të cilat duhet të informohen për falimentimet.

Ligjet e tjera në paketë kanë të bëjnë me procedurat përmbarimore, duke stimuluar shitjen në ankdande me tarifa suksesi. Njëkohësisht ndërhyrjet në Kodin Civil dhe atë të Procedurës Civile me qëllim përshtatjen e ligjit të ri të falimentit.

Top Channel