Një vit pas humbjes në Elbasan, Franca e transformuar pret sërish Shqipërinë

13/06/2016 00:00

Një vit më parë trajneri i Francës, Didier Deschamps pa me irritim lojtarët e tij të “dorëzonin” armët në Shqipëri, në një ndeshje së cilës i munguan pasioni apo krijueshmëria. Ajo ditë shënoi edhe pikën më të ulët të karrierës së tij si trajner i “gjelave”, duke u shfaqur edhe tepër i ashpër në lidhje me performancën e lojtarëve të tij.

Të mërkurën, Franca do të presë sërish Shqipërinë në ndeshjen e vlefshme për grupin A të Europianit, duke synuar të arrijë fitoren e 11 në 12 takimet e fundit, teksa kanë shënuar plot 15 herë në 5 sfidat e fundit, ndërsa dy prej lojtarëve që keqperformuan një vit më parë tashmë duken se kanë kapur formën e tyre më të mirë.

Sulmuesi Olivier Giroud dhe mesfushori me tipare sulmuese, Dimitri Payet, u zëvendësuan që të dy në pushimin midis pjesëve në “Elbasan Arena”, e ky i fundit vuri seriozisht në diskutim karrierën e tij me kombëtaren pas asaj ndeshjeje.

Megjithatë, të premten e kaluar, këta dy futbollistë i siguruan fitoren e parë Francës në startin e Europianit, ku mposhtën 2-1 Rumaninë. Sulmuesi i Arsenalit shënoi golin e parë me kokë, nga krosimi i Payet, ndërsa ky i fundit lëshoi një “predhë” spektakolare një minutë nga fundi i ndeshjes, duke e çuar topin në trekëndëshin e djathtë të portierit rumun dhe më pas të prehej pas shpinës së tij.

“Për ne është shumë e rëndësishme ta kemi Payet në të tillë formë, – tha Deschamps. – Ai është jetik për kombëtaren tonë”. Ky i ndeshjes së parë ishte goli i tretë i Payet për “Les Bleus”, pas golave nga goditjet e dënimit të shënuar ndaj Rusisë dhe Kamerunit, ndërsa Giroud shënoi golin e 8 të tij në 8 ndeshje, duke bërë të shuhen zërat e kritikëve të tij, që do të donin të shihnin më mirë Benzemanë në vendin e tij.

Ata do të jenë në qendër të vëmendjes së kuqezinjve “të dobësuar nga mungesa e kapitenit Lorik Cana”, thuhet në analizën e bërë nga “Associated Press”, një lojtar veteran me 92 ndeshje mbi shpinën e tij, i cili është tepër i rëndësishëm për kombëtaren e tij duke mbuluar dy role, qendërmbrojtës dhe mesfushor i tërhequr. Cana do të mungojë për shkak kartonash, pas ndëshkimit me të kuq gjatë pjesës së parë të ndeshjes Shqipëri-Zvicër, e humbur 1-0 nga kuqezinjtë të shtunën e kaluar në Lens.

E kjo do të jetë veçanërisht zhgënjyese për Canën, sepse ndeshja e së mërkurës do të luhet në “Stade Velodrome”, aty ku lojtari me origjinë kosovare ka luajtur për 4 sezone me Marsejën, duke u bërë edhe i preferuari i tifozëve për shkak të grintës dhe përkushtimit në fushën e blertë.

Në kërkim të pikëve në grupin A, Shqipëria ndoshta duhet të luajë me një taktikë më sulmuese ndaj francezëve, ndaj dhe në qendër të vëmendjes do të jetë sulmuesi Armando Sadiku, për të parë nëse do të përsërisë vërtet formën e tregur në miqësoret përpara këtij turneu, kur shënoi radhazi ndaj Luksemburgut, Katarit dhe Ukrainës.

Një Francë sulmuese do të jetë me rrezik gjithashtu, duke konsideruar faktin që vendasit organizatorë të turneut luajnë më mirë me kundërsulme, duke shfrytëzuar shpejtësinë e sulmuesit Antoine Griezmann dhe klasin e lartë të pasimeve të mesfushorit Paul Pogba. Tashmë një yll në Itali me Juventusin, ai ende nuk po del në lojën e tij më të mirë me Francën, e kjo u pa qartësisht në zhgënjimin e tij kur u zëvendësua 15 minuta nga fundi i takimit me Rumaninë.

“Pogba, sigurisht që mund të luajë shumë më mirë, – tha Deschamps. – Por, nuk dua të tregohem shumë i ashpër me të”.

Top Channel