Spanja, e frikshme për Çekinë. Vrba: Por mund t’i surprizojmë

13/06/2016 00:00

Dita e katërt e Europianit të Francës nis me kampionët në fuqi të Spanjës, të cilët do të përpiqen të mbrojnë titullin gjatë të gjithë këtij edicioni, duke nisur me përballjen ndaj Republikës Çeke. Kjo e fundit e drejtuar nga Pavel Vrba i ka të gjitha shpresat te “fantazisti” Tomas Rosicky, por edhe te një mbrojtje e hekurt përballë “La Roja”-s.

Të besuarit e Vicente del Bosque kanë fituar dy edicionet e fundit të Europianit, ndaj dhe një triumf i tretë vështirë se mund të ndodhë, por për trajnerin spanjoll duket gjithçka e mundshme, edhe pse ekipi është rinovuar së tepërmi nga ai i 4 viteve më parë. Ndeshja e sotme që do të nisë në orën 15:00 pritet të jetë e 100-ta me kombëtaren për David Silva nëse luan titullar, apo qoftë edhe si zëvendësues. “La Roja” vjen në këtë ndeshje pas 8 fitoresh radha në ndeshje zyrtare dhe sigurisht do të përpiqen t’i bashkëngjiten Kroacisë në krye të grupit D.

Sa u përket formacioneve me të cilat priten të zbresin në fushë të dy ekipet, Spanja duket se do t’i besojë Moratës në sulm, të mbështetur nga 4 mesfushorët Silva, Fabregas, Iniesta dhe Nolito. Në portë do të jetë veterani Casillas, ndërsa në mbrojtje Juanfran, Pique, Ramos dhe Alba. Për çekët ka vetëm një problem, i padisponueshëm për shkak pezullimi është Marek Suchy, ndaj dhe trajneri Vrba pritet të aktivizojë këta lojtarë: Cech; Kaderábek, Sivok, Kadlec, Gebre Selassie; Darida, Plasil; Dockal, Rosicky, Krejcí; Necid.

“Kjo e sotmja është një ndeshje speciale dhe me shumë përgjegjësi për ne. Presioni rritet nga dita në ditë, por presim vetëm të shohim nëse jemi vërtet në nivelin e duhur për të merituar më të mirën. Duhet të jemi, gjithsesi, pavarësisht se Çekia është një ekip i mirorganizuar dhe me lojtarë të mirë, të cilët janë të rrezikshëm nga goditjet e dënimit. Ne kemi pasur një sezon të vështirë, por sërish kemi kapur formën më të mirë fizike, pavarësisht se lojtarët iu bashkuan ekipit në periudha të ndryshme. Kam besim tek ata, kështu që të presim çfarë do të na japin”, tha trajneri Del Bosque.

Homologu i tij rival, kreu i pankinës çeke Vrba ka deklaruar se “për të pasur sukses, duhet të bëjmë gjithçka në mënyrë perfekte, pasi kemi përballë një prej favoritëve më të mëdhenj për fitimin e turneut. Ata kanë lojtarë të klasit botëror në çdo pozicion në fushë, ndaj dhe kemi përballë një test të vështirë. Por, ende besoj se ka disa gjëra që mund t’i vënë në vështirësi ata, apo edhe t’i befasojnë”.

Në sfidën e parë të sotme, disa ish-kolegë priten të zbresin në fushë. Bëhet fjalë për Cech, që do të përballet me ish-shokët e skuadrës te Chelsea, Fabregas dhe Azpilicueta, ndërsa ky i fundit ka pas luajtur me Plasil tek Osasuna.

Top Channel