Dario Srna, nga gëzimi në hidhërim. Ndahet nga jeta babai teksa e shihte në tv

13/06/2016 00:00

Dario Srna, mes ditës dhe natës brenda një sekonde. Nga gëzimi për debutimin me fitore në Europianin e Francës, pasi mposhtën 1-0 Turqinë ditën e djeshme, gjendja emocionale kaloi në trishtim papritur. Mësoi se i ati ishte ndarë nga jeta.

Kroacia “qan” kështu për largimin nga jeta të të atit të kapitenit të skuadrës, i cili në moshën 75-vjeçare regjej në shtëpinë e tij i sëmurë prej kohësh, por kishte ende fuqi për diçka: të shihte të birin nga televizori teksa luante ndaj turqve dhe triumfonte.

Mbrojtësi kroat i Shakhtar Donetsk, i cili luajti gjatë të gjithë 90-minutëshit, u njoftua menjëherë pas fundit të takimit për humbjen e babait, i cili vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë.

E sigurisht mbrojtësi është rikthyer në vendlindje për të marrë pjesë në funeralin e të atit. Por mbështetja e ekipit kombëtar nuk i mungon: “I dashur kapiten, jemi pranë teje dhe familjes tënde”, ishte mesazhi i publikuar nga Federata kroate e Futbollit në rrjetet sociale.

Top Channel