Brazili, poshtërimi nga Gjermania? Asgjë përpara eliminimit nga Peruja

13/06/2016 00:00

A ekziston më Brazili? Kjo është pyetja që po qarkullon nëpër mediet sociale, e sigurisht bëhet fjalë për ekipin e futbollit, 5 herë kampion bote. “Seleçao” realisht ekziston dhe gjatë mesnatës zhvilloi edhe ndeshjen e fundit në grup të “Kupës së Amerikës” në edicionin e saj special të 100-vjetorit. Të fundit, sepse jo vetëm që u befasua nga Peruja duke u mposhtur 1-0, por u eliminua. Brazili i futbollit të bukur dhe spektakolar duket se nuk ekziston më…

Tri vitet e fundit të Brazilit janë vërtet për t’u harruar, edhe pse vështirë t’i heqësh nga historia. Dhe sinjalet e para i dha në ndeshjen me Gjermaninë në Botërorin e kaluar, organizatorë të të cilit ishin vet ata. Lotët pasuan edhe në humbjen me penallti kundrejt Paraguajit në “Kupën e Amerikës” së vitit të kaluar. E teksa mendohej se ajo natë ishte e fundit e tmerrshme për Brazilin, vjen një tjetër edhe më tmerruese: Brazili nuk kishte humbur ndonjëherë në 31 vite përballje me Perunë. Por, goli i Ruidiaz bëri që edhe kjo ngjarje “tragjike” të shënohej në histori.

Nga 8 korriku i vitit 2014, kur u shpartallua 7-1 nga Gjermania në gjysmëfinalet e Botërorit brazilian, e deri më 12 qershorin e një dite më parë, duket se asgjë prej këtyre gabimeve nuk është kthyer në mësim. Pas humbjes me gjermanët, Federata braziliane e Futbollit vendosi të ndërpriste bashkëpunimin me Scolarin dhe të rikthente Dungën, por tashmë mos duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe me këtë të fundit?

Këtë gjë nuk e mendon vet Dunga. “Nuk i trembem shkarkimit, kam frikë vetëm nga vdekja. E kemi lavdëruar Gjermaninë për 14 vitet e punës dhe rindërtimit nga themelet të kombëtares së tyre”, kështu iu përgjigj ai gazetarëve të pranishëm, pas eliminimit nga “Coppa America Centenario”. “Ndërsa në Brazil duam që të ndryshojmë gjithçka në dy minuta. Në futboll duhet të kihet durim kur sapo nis një punë, duhet këmbëngulje dhe besim tek ajo që ke vendosur të bësh”.

Top Channel