“Hamilton” dominon çmimet “Tony”

13/06/2016 00:00

Muzikali “Hamilton” dominoi mbrëmjen e çmimeve “Tony” në Nju Jork, duke rrëmbyer 11 prej tyre, përfshirë atë të muzikalit më të mirë dhe aktorit më të mirë kryesor.

Pjesa që rrëfen jetën e njërit prej baballarëve të kombit amerikan, për pak do të kishte thyer rekordin e 12 statuetave të mbajtur nga “The Producers”. Për të parën herë, që të 4 interpretuesit fitues ishin me ngjyrë, përfshirë këtu dhe yllin britanik Cynthia Erivo.

Por masakra e Orlandos e errësoi disi ceremoninë, ku shumë nga fituesit i bënë viktimave homazhet e tyre. Moderatori James Corden ia kushtoi mbrëmjen kremtimit të diversitetit në “Broadway”, duke thënë se urrejtja nuk do të fitojë kurrë dhe se, shfaqja që po drejtonte është simbol dhe lartësim i këtij parimi.

“Hamilton” është vlerësuar si një “muzikal amerikan i jashtëzakonshëm”, duke rreshtuar në listën e adhuruesve të tij edhe emra të tillë si regjisori i “Star Wars”, J.J. Abrams, Jay Z. dhe vet Presidenti Barack Obama.

Përveç shitjes rekord të biletave, albumi i shfaqjes figuron ndër më të shiturit në 50 vite, e ka marrë çmimin “Grammy” të këtij viti për albumin muzikal më të mirë teatror. “Tony Awards” konsiderohen ekuivalenti i çmimeve “Oscar” për shfaqjet teatrale të “Broadway”-it.

Top Channel