Kosovë, tryezë ndërministrore për të drejtat e fëmijëve

13/06/2016 00:00

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka zhvilluar një takim ndërministror për të drejtat e fëmijëve, ku u tha se Kosova ka bërë përpjekje për përmirësimin e të drejtave dhe kushteve të fëmijëve. Megjithatë, në këtë tryezë u tha se ka vend për përmirësime, pasi fëmijët e komunitetit RAE ende vazhdojnë të mos kenë jetë të mirë.

Kryeministri Isa Mustafa tha se qeveria po bën përpjekje, që Kosova të jetë ndër shtetet më të mira që u ofron fëmijëve mirëqenie.

“Ne po bëjmë përpjekje që Kosovën ta bëjmë një nga vendet më të mira për një mirëqenie të shëndetshme të fëmijëve, në mënyrë që ata të zhvillohen si potencial i plotë i ardhmërisë sonë. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ka përfshirë konventën për të drejtat e fëmijëve në listën e instrumenteve ndërkombëtare, bazuar në vlerësimet dhe studimet ndërkombëtare dhe vendore, dedikuar legjislacionit që u dedikohet fëmijëve. Prandaj nuk është e vështirë të dalim në konkluzionin se legjislacioni pozitiv i Kosovës është në përputhje me normat, parimet dhe standardet ndërkombëtare, e njëherazi të respektojnë edhe zotimin e institucioneve të Kosovës për realizimin e të drejtave të fëmijëve”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se MASHT ka për qëllim të integrojë politikat e të drejtave të fëmijëve në sistemin arsimor.

“Politikat e MASHT-it kanë për qëllim integrimin e të drejtave të fëmijëve në sistemin arsimor në përgjithësi, duke promovuar dhe siguruar barazi të plotë pa dallim gjinie, etnie, gjendje fizike, intelektuale, sociale apo rrethana të tjera, në të cilat mund të gjenden fëmijët. MASHT ka për qëllim që të gjitha institucionet arsimore t’i koordinojnë aktivitetet e tyre në harmoni me zbatimin dhe promovimin e të drejtave të tyre, në funksion të edukimit dhe arsimimit të drejtë të fëmijëve tanë, gjithnjë duke u bazuar në të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe ligje”, tha ai.

Ministri Bajrami përmendi edhe një varg ligjesh e rregulloresh, të cilat punojnë në këtë drejtim.

Kurse, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad tha se Kosova ka bërë përmirësime në fushën e të drejtave të fëmijëve, por sipas saj ende mbetet për t’u punuar sa i përket fëmijëve të komunitetit RAE. Ajo tha se ka përmirësim të kushteve të banimit për shumicën e fëmijëve, si dhe vijueshmëri të mësimit. Mirëpo, sipas saj shqetësues mbetet fakti që një në 3 fëmijë ende jetojnë në varfëri.

Top Channel