Gjermania: Serbia në BE, jo pa anëtarësimin e Kosovës në OKB

13/06/2016 00:00

Gjermania nuk do të ratifikojë marrëveshjen për pranimin e Serbisë në BE, derisa Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota e OKB-së.

Kështu ka raportuar e përditshmja serbe “Danas”, e cila ka cituar një deputet anonim të Parlamentit gjerman nga partia në pushtet.

“Zyrtarëve shtetërorë serbë u është thënë para dy viteve, që anëtarësimi i Kosovës në OKB është kusht për pranimin e Serbisë në BE”, thotë deputeti, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Sipas tij, ky qëndrim i Gjermanisë i është bërë i ditur Serbisë, në kohën kur në Bruksel ishin duke u diskutuar marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk do të ratifikojmë anëtarësimin e Serbisë në BE, derisa Serbia të pranojë që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota e OKB-së”, thotë deputeti gjerman.

Ai deklaroi gjithashtu se kjo çështje është ende e hapur për diskutim, pasi brenda partisë ka qëndrime të kundërta rreth saj. Në fund, ai shtoi se është koha që të fillojë procesi i anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe serbët të binden për këtë vendim.

Top Channel