Hetimi i UEFA-s, ja si mbrohet FSHF

12/06/2016 00:00

Ankesa e Greqisë përmes një note proteste dhe shkresave në qeverinë e futbollit kontinental për një baner mbi gjenocidin ndaj çamëve në ndeshjen Shqipëri-Zvicër duket se ka pasur efekt edhe në selinë e UEFA-s.

Këta të fundit kanë vendosur nën procedim disiplinor Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila shpreson t’ia hedh pa ndonjë gjobë apo penalizim tjetër, për shkak të disa arsyetimeve që kanë.

Kështu, i dërguari ynë në Perros Guirec, Endi Tufa, njoftoi se ka pasur një kontakt të një delegati të ndeshjes me një prej përfaqësuesve të stafit të përfaqësueses sonë në stadiumin e Lens pikërisht për këtë baner.

Por, FSHF mbrohet duke arsyetuar se baneri është shpalosur në një zonë neutrale të stadiumit, pra nuk ndodhej në tribunën e tifozëve shqiptarë, që ne të fajësohemi direkt për një gjë të tillë.

Po ashtu, personat që besohet se e kanë shpalosur atë, nuk kanë pasur të veshur ndonjë bluzë që tregonte se ata janë tifozë të kombëtares shqiptare, për të shtuar se përgjegjësia e parë për futjen e atij baneri në stadium i bie UEFA-s, si organizatore e ndeshjes.

Mirëpo, Komisioni i Disiplinës, që ka një fokus të veçantë këtë muaj tek Euro 2016, ka hapur procedim disiplinor edhe për hedhjen e disa fishekzjarrëve. Vendimi për akuzat ndaj Shqipërisë do të merret më 21 korrik.

Top Channel