UEFA ultimatum Anglisë dhe Rusisë: Ju përjashtojmë

12/06/2016 00:00

Autoriteti më i lartë i futbollit në Europë, UEFA, ka kërcënuar se do të përjashtojë nga ky kompeticion europian një prej ekipeve pretendente siç është Anglia, por edhe Rusinë.

Ultimatumi i UEFA-s për të përjashtuar Anglinë dhe Rusinë nga Euro 2016 vjen si një masë kundër dhunës së vazhdueshme nga ana e tifozëve të dy kombëtareve.

Kërcënimi ka ardhur pasi mijëra tifozë kanë udhëtuar për në Lilë, në veri të Francës, për të ndjekur ndeshjen e dytë të fazës së grupeve.

Mbrëmjen e kaluar qindra tifozë të Anglisë dhe Rusisë vërshuan në rrugët e Marsejës duke hedhur shishe birre dhe karrige në zonën e Portit të Vjetër.

Përleshje mes dy tifozerive ka pasur edhe brenda stadiumit Vélodrome të Marsejës.

Federata Angleze e futbollit dënoi dhunën duke e quajtur atë “tepër zhgënjyese. Ishin skena të tmerrshme të një kaosi total të rendit”. Edhe trupa qeverisëse e futbollit europian, UEFA bëri të ditur se “dënon rreptësisht ngjarjet e Marsejës”, duke shtuar madje se “njerëz të përfshirë në të tilla akte nuk duhet të kenë vend në futboll”.

Ministri rus i Sporteve, Vitaly Mutko deklaroi mëngjesin e kësaj të diele se “presin të marrin një gjobë të majme nga UEFA dhe kjo është mëse e kuptueshme. Ne jemi sjellë në mënyrë të gabuar”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve “R-Sport”. Por, ai shtoi gjithashtu se “nuanca të shumta” i janë dhënë ngjarjeve të dhunshme, ndaj dhe zyrtarët rusë do të nisin hetimet e tyre.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel