Edhe Ankaraja në fushatën kundër “Brexit”, Cameron: Turqia, ende larg BE-së

12/06/2016 00:00

Mungesën e një perspektive të anëtarësimit të Turqisë në BE, të përdorur si argument nga kampi “pro” largimit, kryeministri britanik David Cameron e theksoi edhe njëherë në intervistën e dhënë gazetarit të BBC-së, Andrew Marr. Ata e dinë edhe vet – tha kreu i ekzekutivit në Londër, – se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur, edhe pse publikisht pretendojnë të kundërtën.

“Nuk ka gjasa që Turqia të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, të paktën për disa dekada. Kjo çështje as që vihet në diskutim dhe fushata për ‘Brexit’-in e di shumë mirë. Disa prej tyre e kanë pranuar edhe vet, ndaj bëjnë mirë të reshtin së frikësuari njerëzit, sepse ky anëtarësim nuk do të ndodhë”, tha David Cameron, kryeministër i Britanisë.

Komentet e tij pasuan luftën e ashpër verbale mes ministrave konservatorë pas rrjedhjes së disa kabllogramëve diplomatikë, ku lihet të kuptohet se Ambasada britanike në Ankara ka diskutuar mundësinë e udhëtimit të turqve pa viza në Mbretërinë e Bashkuar.

Një shkrim i “Sunday Times” tregon se, këshilltarë të lartë i kanë paralajmëruar ministrat se marrëveshja BE-Turqi e udhëtimit të lirë në zonën e “Schengen”-it mund ta shtyjë dhe Britaninë drejt së njëjtës ofertë për 1.5 milionë mbajtës të atyre që “Daily Telegraph” i përshkruan si “pasaporta speciale”.

“Downing Street” i hodhi poshtë të tilla pretendime si të pavërteta. Mbështetja për BE-në ka rënë ndjeshëm në mbarë Europën, duke shtuar kështu frikën e një përhapjeje të fenomenit të largimit të Britanisë. Efektet e të ashtuquajturit “Brexit” mund të shtrihen përtej kufijve britanikë, e votimi nuk është çudi të çojë edhe drejt referendumesh të tjera të ngjashme në kontinentin e vjetër.

Top Channel