Gjermani-Ukrainë, trajneri Fomenko: Gjermania luan futboll cilësor, e vështirë për ne

12/06/2016 00:00

Gjermania e nis Europianin e Francës mbrëmjen e sotme në orën 21:00 me ndeshjen kundër Ukrainës, trajneri i së cilës Mykhailo Fomenko pret që kampionët e botës në fuqi të luajnë një “futboll cilësor”.

Sa i përket formacioneve, të besuarit e Joachim Low pritet të jenë: Neuer; Höwedes, Mustafi, Boateng, Hector; Kroos, Khedira; Müller, Özil, Draxler; Gomez. Trajneri gjerman nuk do të ketë të disponueshëm Mats Hummels në këtë ndeshje të parë. Ndërsa Ukraina pritet të zbresë me këtë 11-she: Pyatov; Fedetskiy, Khacheridi, Rakitskiy, Shevchuk; Stepanenko, Sydorchuk, Garmash; Yarmolenko, Konoplyanka; Zozulya.

Low shprehet para ndeshjes së “Ukraina është një ekip shumë i mirë fizikisht, ndërsa ka edhe lojtarë të shpejtë në krah, të cilët bëhen tepër të rrezikshëm kur zbresin në kundërsulm. Ata zotërojnë energji të tilla, sa që mund të japin maksimumin përgjatë 90 minutave. Por, ne duhet të bëjmë atë që dimë të bëjmë dhe të ruajmë zotërimin e topit, pasi kështu do të mundemi ta mposhtim Ukrainën”.

Më pas, trajneri gjerman shpjegon edhe përmirësimet e skuadrës së tij. “Deri në vitin 2014 ne luanim thuajse me të njëjtin formacion dhe me të njëjtin sistem taktik. Por, përgjatë dy viteve të kaluara jemi zhvilluar shumë. Nuk përbën më problem nëse e nisim një ndeshje me 3 lojtarë të tërhequr, apo me dy qendërmbrojtësa, pasi kjo mund të ndryshojë edhe gjatë ndeshjes”, tha Low.

Ndërkohë për homologun e tij rival, Mykhailo Fomenko, “çdo ekip është duke u zhvilluar. Gjermania nuk përbën përjashtim në këtë aspekt, edhe pse janë kampionët në fuqi të botës. Edhe pse arritën një fitore historike ndaj Brazilit, por që i mbetet historisë”.

Më tej Fomenko lavdëron gjermanët. “Ata janë ambiciozë dhe iu mungon një titull europian prej një kohe të gjatë, ndaj dhe do të bëjnë maksimumin për ta fituar këtë kompeticion që zhvillohet në Francë”.

Sa i përket formacionit të të tijve, ai shton se gjithçka do të vendoset në fund: “Kemi zgjidhur thuajse 90% të dilemave, por kemi ende kohë për të vendosur. Ka qenë gjithnjë e vështirë ta nisësh në mënyrën më të mirë të mundshme, por të paktën nuk do të ketë surpriza, pasi Gjermania do të luajë një futboll cilësor, sido që të jetë. E dimë që lojtarët tanë do të kenë një sfidë të vështirë përpara”.

Për kuriozitet, Gjermania dhe Ukraina janë përballur për herë të parë në Botërorin e vitit 1998. Oliver Bierhoff dhe Mario Basler shënuan në fitoren 2-0 të gjermanëve, përpara se të barazonin 0-0 në Kiev.

Top Channel