“Çamëria” në Francë, Greqia ankohet në UEFA dhe notë proteste Tiranës

12/06/2016 00:00

Ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, i ftuar në një emision informativ të televizionit “MEGA” ka theksuar se, disa qarqe të caktuara nacionaliste po përpiqen të minojnë përpjekjet e Greqisë dhe Shqipërisë për përafrim, duke sjellë në qendër të vëmendjes çështjen inekzistente të çamëve.

I pyetur për rastin e pankartës, të shfaqur nga një grup tifozësh në stadiumin e Lensit në ndeshjen e Shqipërisë me Zvicrën, Koztias ka deklaruar se Greqia nuk duhet të bjerë viktimë e përpjekjeve të caktuara të një grupi njerëzish, që nuk duan një marrëdhënie të mirë midis Athinës dhe Tiranës, duke shtuar me nënkuptim se, “ka disa vite, që ndikimi i Turqisë në Shqipëri ka rënë, për shkak se udhëheqësit fetarë të Shqipërisë kanë kontradikta të mëdha me udhëheqjen turke, dhe kjo nuk u pëlqen disa personave të caktuar”.

“Është e habitshme sesi ajo pankartë ka kaluar në stadium me të tilla masa dhe theksoj se, UEFA ka ndërhyrë menjëherë duke e hequr dhe duke mos e lënë të shfaqej edhe në ekranet  e televizionit”, ka shtuar ai.

Kotzias ka thënë gjithashtu se, Greqia ka kryer të gjitha veprimet që parashikohen në të tilla raste me anë të ambasadorit të saj në Bernë, dhe me notat e protestës dërguar Francës dhe Shqipërisë, ambasadorët e të cilëve janë thirrur të paraqiten të hënën në Ministrinë e Jashtme greke.

Sipas gazetës së të dielës, “Real News”, edhe Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos, duke folur para këshilltarëve të tij, i ka dërguar një mesazh të ashpër Tiranës. “Nëse Shqipëria zvarritet pas bashkëpunëtorëve dhe nostalgjikëve të nazistëve, është çështja e saj. Por në një rast të tillë nuk mund të ‘shesë’ miqësi ndaj Greqisë”, ka thënë ai.

Reagon Tirana zyrtare: Çështja çame, thelbësore. Sjella e tifozëve, shembullore

“Më vjen keq ta them, por ne nuk ndajmë shqetësimin e tyre irracional nga fjala Çamëri. Çështja çame është një çështje thelbësore e raporteve dypalëshe dhe thelbësore për të drejtat e njeriut. Madje trajtimi i saj me realizëm dhe diskutimi i thellë për të do të ishte dëshmi maturie e marrëdhënieve tona dhe e respektit të ndërsjelltë. Shpreh keqardhjen që në vend që fokusi të mbetet në fushën e blertë dhe në magjinë e futbollit, ata janë fokusuar në detin e tifozëve kuqezinj të pranishëm dje në stadium, sjellja e të cilëve është evidentuar si tepër korrekte dhe tepër e shkëlqyer nga mediat franceze dhe ato ndërkombëtare”, tha Glevin Dervishi nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Top Channel