Barazimi, Hodgson: Ngjan me një disfatë; Slutski: Luajtëm me kurajë e vendosmëri

12/06/2016 00:00

Anglia nuk arriti dot të thyente “tabu”-në e ndeshjes së parë në një Europian. Skuadra e Roi Hodgson, edhe pse zhvilloi një lojë shumë të mirë, nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Rusinë, një rezultat ky që kishte shijen e humbjes, sipas trajnerit Hodgson.

“Ky barazim ngjan më shumë si një disfatë. Rusia arriti të na marrë pikën dhe kjo është e vështirë për t’u përtypur. Nuk besoj se goli i kësaj skuadre erdhi për shkak të gabimeve tona në administrimin e ndeshjes. Mund të them se bëmë një lojë të mirë dhe e meritonim të fitonim”, tha Hodgson pas ndeshjes.

Krejtësisht ndryshe ka qenë gjendja shpirtërore e trajnerit të Rusisë, Leonid Slutski, që nuk ngurroi të thotë fjalët më të mira për futbollistët e tij.

“Lojtarët u treguan të mëdhenj, pasi luajtën me kurajë dhe vendosmëri. Nuk u dorëzuam as pas shënimit të golit nga Anglia, e në 15 minutat e fundit luftuam vërtet shumë. Jam i kënaqur me ndeshjen dhe barazimi ndaj një skuadre si Anglia rrit mundësitë tona për të kaluar grupin”, tha Slutski.

Top Channel