Serbia, mirënjohëse Kinës për mosnjohjen e Kosovës dhe investimet

12/06/2016 00:00

Serbia e vlerëson lart mbështetjen e palëkundur të Kinës për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” kryetarja e Parlamentit serb, Maja Gojkoviç, përpara vizitës zyrtare të Presidentit kinez, Xi Jinping.

“Shpresoj që kjo vizitë të jetë e suksesshme dhe plot me zhvillime. Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kinës kanë ardhur duke u zhvilluar pozitivisht. Kina është për ne një mik shumë i sinqertë. Asnjëherë nuk ka hedhur ndonjë votë e nuk ka marrë ndonjë vendim, që të dëmtonte interesat e Serbisë. Kina nuk e ka pranuar kurrë pavarësinë njëanshmërisht të shpallur të Kosovës. Përkrahjen e saj ne e vlerësojmë shumë”, tha Maja Gojkoviç, kryetare e Parlamentit serb.

Por ajo që duket se Serbia vlerëson në mënyrë të veçantë janë investimet kineze, të cilat – siç Gojkoviç e pohon vet, – po e ndihmojnë vendin të përmirësojë infrastrukturën e të krijojë vende të reja pune.

“Kompanitë kineze, për shembull, kanë ndërtuar ura në Beograd, linja hekurudhore mes kryeqytetit tonë dhe Budapestit, e kanë ristrukturuar një fabrikë çeliku në Serbi. Janë hedhur disa hapa për të forcuar edhe më shumë lidhjet tona ekonomike. Përfaqësuesit e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Vuçiç do të zhvillojnë bisedime me homologët e tyre kinezë, mbi mundësinë e krijimit të një zone industriale në Serbi, si pjesë e perspektivave të bashkëpunimit”, tha Gojkoviç.

Politika jonë e jashtme, – sqaron më tej zyrtarja, – është të kërkojmë anëtarësimin në BE duke e vazhduar njëkohësisht bashkëpunimin me miq si Kina. Investimet e saj dhe një partneritet strategjik me këtë vend do të stimulojnë zhvillimin e ekonomisë serbe, e do të çimentonin statusin e vendit si fuqi udhëheqëse në rajon. Një Serbi e stabilizuar ekonomikisht dhe politikisht, sipas Gojkoviç do të ndihmonte në qëndrueshmërinë e gadishullit ballkanik në tërësi.

Top Channel