Dhunë guerrile në Marsejë, aleancë anglo-ruse kundër francezëve

11/06/2016 09:55

Qyteti i Marsejës ka kaluar një tjetër natë dhune guerrile, për shkak të përleshjeve mes tifozerive, asaj marsejeze dhe asaj angleze, e mbështetur çuditërisht nga huliganë rusë.

Bilanci, bare e lokale të shkatërruara, të cilave u është vënë zjarri nga anglezë të marrosur e të dehur deri në palcë; shumë të arrestuar, por edhe të plagosur.

Faktikisht, trazirat filluan që mbrëmjen e së enjtes, por pas një paraditeje të qetë të premteje, “shkëndija” është rindezur rreth orës 18, kur pasi ishin dendur në birra në pubet përreth, tifozët anglezë janë konfrontuar me policinë.

Forcat e rendit kanë reaguar me gaz lotësjellës dhe spraj djegës për të shpërndarë turmën dhe pas më shumë se një ore përplasja është mbyllur me 9 të arrestuar.

Por “lufta” nuk ka mbaruar me kaq. Ajo ka kulmuar pas ndeshjes Francë-Rumani. Fillimisht, në rrugicat e portit të qytetit janë dëgjuar koret e turmave, që këndonin kundër IRA-s, kundër Europës dhe kundër francezëve.

Më pas ka ndodhur “ferri”. Një bari i është vënë flaka, karriket kanë fluturuar e gjithçka është shkatërruar. Francezët janë përleshur me anglezët, këta të fundit të mbështetur nga rusët.

Të plagosurit kanë qenë të shumtë. Një anglez ka mbetur i shtrirë në tokë deri në 1 të mëngjesit, i përgjakur, pa ndjenja e i rrethuar nga qentë e policisë, që me zorr mbaheshin nën kontroll nga agjentët. Vetëm pas orës 1 është bërë i mundur largimi i tij në bordin e një makine ambulance.

Federata Angleze e Futbollit, në një komunikatë për shtyp është shprehur “shumë e zhgënjyer”, duke dënuar episodet e dhunës por edhe duke u bërë thirrje autoriteteve policore që të marrin masat e duhura. Madje, nuk kanë munguar akuzat ndaj tifozerisë marsejese si nismëtare të provokimeve.

Sot ndërkohë është ndeshje Angli-Rusi, që pritet të ndiqet nga disa dhjetëra mijëra tifozë. Tensioni do të jetë i madh. 

Top Channel