Siguria e Europianit, alarm i rremë në “Stade de France”

10/06/2016 00:00

Edhe pse për shumë analistë, kampionati europian në Francë po zhvillohet në një kohë të turbullt, atje thuajse nuk ndihet kjo atmosferë pasigurie.

“Ne nuk shikojmë shumë policë me uniformë, por me siguri pjesa më e madhe e tyre do të jenë të veshur civilë dhe mund të jenë kudo. Ne ndihemi të sigurtë dhe po të shohësh përreth të gjithë janë të qetë dhe në pritje të ndeshjeve”, tha një tifoz rumun.

“Këtu nuk ka ndienjë tensioni apo pasigurie”, tha një tjetër tifoz i pranishëm në Francë për të ndjekur Europianin.

Ndërsa një alarm i rremë bëri që policia të kontrollonte stadiumin “Stade de France”, por ata nuk zbuluan asgjë të dyshimtë. Po ashtu një tjetër incident i izoluar është raportuar në Marsejë, një përleshje tifozësh që çoi në arrestimin e dy anglezëve.

Presidenti francez François Hollande ka paralajmëruar se do të marrë masa kundër çdo lloj tentative, e cila do të pengonte “Euro 2016”-n. Franca është përfshirë prej muajsh në protesta për reformat në ligjin e punës.

Makinistët kanë kërcënuar se do të vijojnë me grevat në pika kyçe, ku do të luhen ndeshje të rëndësishme. Për të shpërndarë turmat, policia ka përdorur gazin lotsjellës. Gjithashtu Franca është në gatishmëri të lartë, që nga sulmet terroriste të nëntorit në Paris, e njëkohësisht po rikuperon dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në rajonet qendrore dhe veriore të vendit.

Top Channel