ISIS, Al Bagdadi i plagosur në një sulm ajror; por SHBA s’konfirmojnë

10/06/2016 00:00

Abu Bakr al Bagdadi ka mbetur i plagosur në një sulm të koalicionit ndërkombëtar në perëndim të Mosulit, në provincën irakene Ninive.

Lajmin e bën të ditur një burim iraken i cituar nga televizioni lokal Al Sumaria, sipas të cilit në shënjestër të sulmit ka qenë një ndërtesë ku ishin mbledhur disa lider të ISIS, mes të cilëve vetë Al Bagdadi.

Por një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Chris Gaver nuk e ka konfirmuar lajmin. “Nuk ka asgjë për të konfirmuar për momentin”, ka thënë Gaver për “New York Times”.

Ndërsa sipas Al Sumaria, edhe eksponentë të tjerë të ISIS kanë mbetur të plagosur nga bombardimi, fryt i një operacioni të organizuar mbledhjesh informacioni.

Ndërsa burime të tjera irakene flasin për një sulm të kryer thuajse në të njëjtën zonë në perëndim të Mosulit në kufi me Sirinë, e sulmuar një ditë më parë, por sugjerojnë vetëm vrasjen e 7 militantëve të ISIS që ndodheshin në një automjet.

Pikërisht sot bëhen 2 vjet nga rënia e qytetit në duart e militantëve të Al Bagdadit, që në atë kohë nuk kishte shpallur ende lindjen e kalifatit dhe të Shtetit Islamik.

Lajmet për vrasjen apo plagosjen e liderit të ISIS qarkullojnë prej muajsh, por asnjë prej tyre nuk ka gjetur konfirmim.

Top Channel