Vendimi për “përgjimet”, Tahiri: Gjykata, qoka politike

10/06/2016 00:00

Gjyqtari i shumëpërfolur ditët fundit, Arjan Alija ka lënë të pandryshuara masat e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj drejtorit të Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit, Artjon Duka, dhe specialistit Entiol Xhelilaj.

Ata akuzohen nga Prokuroria se kanë shpërdoruar detyrën në kuadër të hetimeve të nisura në lidhje me një pajisje “përgjuese”, që dyshohet se është përdorur në kundërshtim me ligjin nga Policia.

Gjatë seancës mësohet se, dy të pandehurit Duka dhe Xhelilaj kanë deklaruar se nuk kanë kryer asnjë vepër penale, por prokurori Gjergji Tako u shpreh se ligji parashikon që, personat që do të përdorin pajisje përgjuese duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie.

Disa orë pas këtij vendimi, në një konferencë për shtyp, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka cilësuar argumentet e gjyqtarit si qesharake, ndërsa vendimin “qokë politike”.

“Gjyqtari Aliaj ka vendosur arrest shtëpie për Dukën me argumente skandaloze që nuk janë të denja as për një student juridiku. Për oficerin Duka thuhet se ka hartuar programin e trajnimit dhe ia ka paraqitur eprorit të tij mes të tjerash, ndërsa për Xhelilajn thuhet se ka hyrë në marrëdhënie me palën italiane të trajnimit me qejfin e tij dhe pa urdhrin e askujt”, tha ministri Tahiri. “As në kohën e komunizmit, gjyqtarët nuk kanë qenë kaq ushtarë të bindur të pushtetit të asaj kohe. Flasim këtu për një gjyqtar që ka liruar vrasës dhe përdhunues, ndërsa sot ka marrë një vendim për t’i lënë në arrest shtëpie dy oficerë të Policisë së Shtetit, thjesht dhe vetëm për të bërë qokën e radhës ndaj politikës. Me të vetmin synim për t’u zënë sytë shqiptarëve nga rruga që kemi përpara drejt miratimit të Reformës në Drejtësi. Këta gjyqtarë janë të paarsimuar dhe të kapur peng nga sistemi politik që i ka mbrojtur kur kanë liruar vrasës dhe përdhunues, ndërsa sot përbëjnë provën më të qartë të etheve që kanë zënë drejtësinë përpara miratimit të reformës”, tha ministri Tahiri.

Një ditë pas takimit mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, ku të pranishëm ishin kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, dhe ai i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmata, 3 krerët e institucioneve të hetimit janë thirrur në një takim nga Presdenti Nishani.

Llalla, Fusha dhe Hajdarmataj i janë drejtuar rezidencës presidenciale. Burime për Top Channel bëjnë të ditur se, Presidenti Nishani ka thirrur zinxhirin drejtues të organit të hetimit për t’u informuar lidhur me vijimin e hetimeve për pajisjen përgjuese, hetime të cilat çuan edhe në pezullimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Top Channel