De Biasi-Cana: Gati për Zvicrën. Ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare

10/06/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare ka mbajtur pasditen e kësaj të premteje, një ditë para ndeshjes, konferencën e radhës për shtyp, në të cilën kapiteni Lorik Cana dhe trajneri Gianni de Biasi kanë bërë me dije se pritshmëritë janë të mëdha.

“Gjithçka do të fokusohet tek futbolli. Kemi arritur këtu duke luftuar me zemër dhe organizim. Ekipi është përmirësuar shumë në aspektin e mbrojtjes dhe riorganizimit, që ishin dhe baza e kualifikimit”, ka deklaruar Cana.

Edhe De Biasi ka shprehur dëshirën që Euro 2016, “të jetë një turne ku djemtë të japin maksimumin”. Një aspekt i rëndësishëm ku trajneri e ka vënë theksin ka qenë njohja e kundërshtarit.

“E dimë vlerën e kundërshtarëve, por në fushë niset nga 0-0. Njohja e kundërshtarit është paranteza për të arritur tek suksesi. Ndërsa njohja e limiteve është e rëndësishme për të qëndruar në binarë e të mos dalësh”, ka thënë De Biasi.

Mes të tjerash tekniku i kuqezinjve ka nënvizuar se, “ndeshja e nesërme nuk është vendimtarja, por nisja me këmbë të mbarë është me rëndësi”.

“Besoj se ndeshja e nesërme nuk do të ndikojë shumë. Për mua më e rëndësishme është marrja e sinjaleve të saj. gjërat e pamendueshme në futboll ndodhin, por pak herë. Uroj që të ndodhin edhe për ne”, ka shtuar De Biasi.

Top Channel