Polonia ashpërson ligjet antiterrorizëm përpara Samitit të NATO-s dhe vizitës së Papës

10/06/2016 00:00

Parlamenti i Polonisë ka përforcuar ligjet antiterrorizëm gjatë kësaj të premteje, pikërisht përpara se të organizojë dy ngjarje të profilit të lartë, duke u dhënë forcave të sigurisë të drejtën për monitorim më të afërt të qytetarëve të huaj dhe mbajtjen e të dyshuarve për një kohë më të gjatë në paraburgim, edhe pse mund të mos ngrenë asnjë akuzë ndaj tyre.

Polonia është njëri nga disa prej shteteve të Europës Lindore që kanë rishikuar ligjet e tyre antiterror, për shkak të sulmeve terroriste në Bruksel gjatë muajit mars, duke sinjalizuar kështu shqetësimet në rritje në një rajon, i cili mund të mos jetë edhe për një kohë të gjatë imun ndaj kërcënimeve.

Në fillim të korrikut, krerët më të lartë të vendeve anëtare të NATO-s, përfshi këtu Presidentin amerikan Barack Obama, do të marrin pjesë në Samitin e Varshavës, në të cilin pritet të bien dakord për dërgimin e më shumë trupave në kufijtë lindorë të aleancës atlantiko-veriore, në mënyrë që të jenë të gatshëm për t’iu kundërpërgjigjur çdolloj agresiviteti të Rusisë.

Dy javë më vonë, qyteti jugor Krakov do të organizojë Ditën Botërore të Rinisë, një ceremoni katolike që pritet të ndiqet edhe nga Papa Françesku, por edhe nga rreth dy milionë pelegrinë nga e gjithë bota. Të dyja këto shfaqje përballen qartazi me kërcënime terroriste, thonë ekspertët.

“Polonia, aktualisht nuk ka asnjë kërcënim të beftë nga militantët islamikë, por tashmë ne nuk jemi më një vend anonim për ta”, tha një burim i niveleve të larta të shërbimeve të sigurisë për “Reuters”, sigurisht në kushtet e anonimitetit.

Partia konservatore në pushtet, “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) bëri të ditur se legjislacioni i ri është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të adresuar çdo lloj kërcënimi të tillë. Ligji i ri u jep shërbimeve polake të sigurisë të drejtën për të kryer mbikëqyrjen e shtetasve të huaj për një periudhë 3-mujore, pa miratimin paraprak të gjykatës. Ai lejon gjithashtu që të dyshuarit të mbahen për 14 ditë në paraburgim, pa iu ngritur akuzë, por me miratimin e gjykatës, duke zgjeruar kështu periudhën ekzistuese prej 48 orësh.

Legjislacioni i ri e bën gjithashtu më të lehtë deportimin e të huajve nëse konsiderohen se përbëjnë kërcënim, ndërsa rregullon gjithashtu shitjen dhe shfrytëzimin e kartave SIM njëpërdorimshme, të cilat tashmë shiten falas dhe në mënyrë anonime.

Top Channel