Schaeuble: Me Brexit, Britania del nga tregu i përbashkët europian

10/06/2016 00:00

Në rast të një “Brexit”, Mbretëria e Bashkuar nuk do të ketë më akses në tregun e përbashkët europian.

Është ky pozicioni i Gjermanisë, i shprehur nga ministri i Financave Wolfgang Schaeuble, në një intervistë për “Der Spiegel”, që publikohet të shtunën.

“Britania jashtë BE-së por brenda tregut të përbashkët europian është një opsion që nuk do të funksionojë. Nuk mund t’i kërkohet një vendi të respektojë rregullat e një grupi nga i cili dëshiron të tërhiqet”, ka deklaruar Schaeuble.

Shefi i Financave gjermane saktëson se, “nëse mazhoranca e britanikëve zgjedh të votojë pro Brexit, atëherë do të jetë një vendim kundër tregut të përbashkët”.

“Të jesh brenda do të thotë të jetë brenda, të jesh jashtë do të thotë të jesh jashtë. Ne kemi respektin maksimal për sovranitetin e popullit britanik”, ka vijuar Schaeuble.

Ministri ka shtuar se, nëse do të jetë e nevojshme, Europa do të punojë edhe pa bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuar.

“Në një farë pike, britanikët do ta kuptojnë se kanë marrë vendimin e gabuar dhe një ditë ne do të pranojmë kthimin e tyre nëse do të dëshirojnë”, ka shtuar Schaeuble.

Top Channel