Ymeri: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, frymëzim për politikën shqiptare

10/06/2016 00:00

Në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e ka quajtur atë, si projektin e lindjes së Shqipërisë. Ymeri tha gjithashtu se ky projekt mbetet frymëzim i politikës shqiptare dhe çdo rrymë politike jo në përputhje me atë, i përket një projekti jo shqiptar.

“Prej këtij themeli, projekti ynë është shënuar nga nevoja për t’u vetëmbrojtur, e për t’u paraqitur në mënyrë dinjitoze përballë vendimeve ndërkombëtare, që nuk i marrin parasysh pozitat tona ekzistenciale dhe politike”, thuhet në deklaratën e Ymerit me rastin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Sipas Ymerit, kjo paraqitje dinjitoze e jona ndërkombëtarisht ka qenë e nevojshme dikur, është e nevojshme sot, dhe do të jetë e nevojshme gjithnjë.

“Dinjiteti ynë nuk do të thotë armiqësim. Do të thotë mospranim i të qenit thjesht ‘shprehje gjeografike’ dhe afirmim i vetvetes sonë kombëtare si kolektiv politik, sigurisht jo ekskluziv, jo organik e romantik, por tërësisht modern e demokratik. Mbetemi të përkushtuar ndaj asaj që themeloi Lidhja, e i kujtojmë me respekt e mirënjohje të gjithë veprimtarët, që në dekada kanë dhënë aq shumë për këtë projekt, prej Abdyl Frashërit, e deri te miliona shqiptarë që sot, pavarësisht bindjeve politike e përkatësive kulturore e fetare, i mbeten besnikë projektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, thuhet në deklaratën e Ymerit.

Top Channel