WSJ: Heqja e vizave për Kosovën, vendimi në shtator

10/06/2016 00:00

Shpresat e Kosovës dhe Gjeorgjisë, që Bashkimi Europian t’u aprovojë lëvizjen pa viza gjatë kësaj vere kanë marrë një godjtje, pasi vendimi është shtyrë për shkak të disa shqetësimeve të reja që janë ngritur nga shtetet anëtare.

Gjermania ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me krimin e organizuar të bandave gjeorgjiane, ndërsa ndikim ka edhe rritja e frikës nga terrorizmi, siç bën të ditur “Koha.net”.

“The Wall Street Journal” raporton se zyrtarët e BE-së kanë thënë se, shtatori është koha më e hershme që BE-ja dhe Parlamenti Europian mund të arrijnë marrëveshje për heqjen e vizave për miliona qytetarë të këtyre shteteve.

Në javët e kaluara, Komisioni Europian kishte rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën, Turqinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Megjithatë, 28 shtetet anëtare të BE-së dështuan të marrin mbështetjen e duhur për Gjeorgjinë, vendim që ky vend është duke e pritur që nga dhjetori.

Në anën tjetër, Italia dhe Franca kanë kërkuar që të pritet miratimi i rregullave të reja, të cilat lehtësojnë pezullimin e lëvizjes pa viza në rast të abuzimit. Ndërsa këto ndryshime pritet të bëhen në shtator.

“Brukseli nuk ka më arsye për shtyrje. Kosova nuk duhet të jetë peng i ndonjë mosmarrëveshjeje ndërmjet Brukselit dhe Ankarasë. Ne kemi përmbushur detyrat tona”, është shprehur Thaçi për “Wall Street Journal”.

Top Channel