Irlandë, policia bashkëpunoi në vrasjen e tifozëve

10/06/2016 00:00

Forcat e sigurisë ishin në një marrëveshje të fshehtë me vrasësit e 6 tifozëve të futbollit në 1994-n, njëri prej episodeve më famëkeqe të periudhës së trazirave në Irlandën e Veriut.

Një raport i Avokatit të Popullit tregon se informatorë të policisë brenda grupeve të armatosura luajaliste ishin të përfshirë në importimin e armëve të përdorura në të paktën 70 vrasje dhe tentativa për vrasje, mes të cilave është edhe masakra e Loughinisland.

18 qershorin e ‘94-s, paraushtarakë të armatosur protestantë hynë në barin Heights të fshatit me të njëjtin emër e hapën zjarr mbi tifozët që po shihnin ndeshjen e Kupës së Botës Irlandë-Itali.

Mes tyre ishte dhe 87-vjecari Barney Greene, viktima më e moshuar e konfliktit tredekadësh të njohur ndryshe si “trazirat”. Të vrarët ishin të gjithë katolikë.

“Hetimi i atij rasti, sidomos në fazat e hershme të tij, ka qenë thellesisht i karakterizuar nga paaftësia, indiferenca dhe neglizhenca”, thotë Michael Maguire, Avokat i Popullit.

“Mendimi im sot është për babain tim dhe të gjithë ata që u vranë atë natë të tmerrshme të 18 qershorit, kur thjesht shkuan të shohin një ndeshje futbolli në klubin e tyre të lagjes. Sot më në fund kemi një raport që u jep të drejtë dyshimeve tona se e vërteta mbi ato vrasje po mbulohej nga dikush”, deklaroi Emma Rogan, vajza e njërit prej viktimave.

Raporti është i fundit që dëshmon paktet e fshehta të shtetit në disa prej 3.600 vrasjeve të kryera gjatë konfliktit të armatosur 30-vjeçar mes nacionalistëve katolikë irlandezë, të cilët kërkonin një Irlandë të bashkuar dhe rivalëve të tyre protestantë, që e donin Irlandën e Veriut britanike.

Top Channel