Dyshime mbi arrestimin e “gjeneralit” të trafikut të emigrantëve

10/06/2016 00:00

Personi i ekstraduar në Itali dhe i akuzuar si trafikanti numër një i emigrantëve nga Libia i tha autoriteteve se kanë kapur njeriun e gabuar.

Këtë javë, prokurorët trumbetuan me të madhe ndalimin e atij që e quanin “gjenerali i trafikut”, Mered Medhanie. Por, burri që po mbahet aktualisht në një burg italian, sipas avokatit të tij mbrojtës quhet Medhanie Tesfarmariam Berhe.

I ndaluari është në procesin e marrjes në pyetje nga një gjyqtar dhe situata e tij ligjore pritet të përcaktohet në ditët në vijim.

Hetuesit thonë se Mered Medhanie është përgjegjës për vdekjen e 359 emigrantëve të mbytur tetorin e 2013-ën pas fundosjes së anijes së tyre pranë brigjeve italiane.

Dyshimet, megjithatë, nisen të shfaqen shumë shpejt pas ekstradimit të tij këtë javë kur miq dhe të afërm deklaruan se personi që është parë duke zbritur nga avioni me pranga në duar, nuk ishte i dyshuari si trafikant. 

Top Channel