Shqiptarët drejt Francës, shtohen daljet në kufi

10/06/2016 00:00

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë pritet të ndjekin nga afër rrugëtimin e kombëtares së futbollit në europian. Ditët e fundit në pikat kufitare të vendit është vërejtur një rritje e udhëtarëve me destinacion Francën.

Në bazë të statistikave të Policisë Kufitare, raportohet se për 9 ditët e para të qershorit, numri i udhëtarëve që kanë lënë vendin është shtuar me mbi 2 mijë persona. Por numri i qytetarëve shqiptar që do të ndjekin kombëtaren nga afër në europian mendohet të jetë edhe më lartë.

9-ditëshi i parë i qershorit të vitit të kaluar krahasuar me këtë vit është rreth 200 shtetas më pak të cilët ka dalë nga vendi. Por edhe kjo statistikë në pamje të parë e çuditshme, e ka një shpjegim. Burime nga policia kufitare arsyetojnë se gjatë kësaj periudhe të vitit të kaluar mijëra qytetar u larguan drejt vendeve të Bashkimit Europian me qëllim përfitimin e azilit.

Duke llogaritur fluksin e fillim qershorit 2015 me 200 persona më pak të këtij viti, mendohet që numri i personave që kanë dalë nga Shqipëria me qëllim ndjekjen e kombëtares në Francë të jetë i lartë. 

Kryesisht, thonë burime nga policia, udhëtimet janë kryer nga Aeroporti i Rinasit, por janë konsatuar edhe udhëtime të organizuara në grup përmes rrugëve tokësore.

Kështu, përveç mbështetjes së shqiptarëve që jetojnë në Francë apo shtetet fqinje, kombëtarja pritet të ketë në krah edhe qytetarë të cilët janë nisur enkas nga Shqipëria.

Top Channel