Izraeli izolon palestinezë, SHBA: Mos ndëshkoni të pafajshmit

10/06/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara i kërkuan Izraelit që të mos ndëshkojë palestinezët e pafajshëm për sulmin e përpara dy ditëve në një kafene të Tel Avivit, ku mbetën të vrarë katër izraelitë.

Përgjigjia e autoriteteve të shtetit hebre ishte ngrirja e lejeve të kalimit për 83.000 palestinezë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner kërkoi që të mendohet për ta.

“E kuptojmë dëshirën e qeverisë izrealite për të mbrojtur qytetarët e saj dhe e mbështesim me forcë, por njëkohësisht shpresojmë që çdo masë e ekzekutivit të marrë parasysh edhe ndikimin që do të ketë mbi palestinezët e thjeshtë, të cilët po përpiqen të vazhdojnë jetën e tyre normalisht”, tha ai.
 
Të enjten, Izraeli vendosi heqjen e lejeve të dhëna për mijëra palestinezë për të vizituar vendin e ushtria tha se do të dërgojë me qindra trupa të tjera në bregun e pushtuar perëndimor pas ngjarjes së Tel Avivit. 

Agresorët erdhën nga një fshat pranë Hebronit. Ata ishin të veshur me kostume e kravata dhe u hoqën si klientë të zakonshëm të bar-restorantit ku edhe porositën pije e ëmbëlsira përpara se të nxirrnin armët e të hapnin zjarr pa dallim.

Edhe pse Hamasi e grupe të tjera militante palestineze e përshëndetën sulmin, asnjëri prej tyre nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë mbi të.

Top Channel