Deschamps e Lloris: Franca nuk ka treguar ende gjë

10/06/2016 00:00

Kampionati Evropian i Futollit nis sot me ndeshjen mes Francës dhe Rumanisë. Skuadra e drejtuar nga Deschamps shihet si favorite jo vetëm për të fiuar këtë ndeshje, por edhe krejt turneun. Por, kapiteni i “Gjelave”, Hugo Lloris kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë, duke deklaruar se Franca ende nuk ka treguar asgjë.

“Nuk ndihemi favoritë. Nuk kemi bërë e nuk kemi vërtetuar asgjë. Sigurisht, fakti që na shohin të tillë do të na ndihmojë që të fitojmë besimin, por ne kemi edhe avantazhin se luajmë në vendin tonë”, tha Lloris.

Në të njëjtën linjë me kapitenin qëndron edhe trajneri Deschamps: “Ende nuk kemi arritur gjë. Duhet të hyjmë në fushë pa presion. Rumania ka lojtarë të mirë. Futbollistët e kësaj skuadre mund të vrapojnë me topin dhe dinë shumë mirë si ta përdorin atë. Ajo që është e rëndësishme për ne është të jemi efektivë si në momentin kur jemi në zotërim të topit, ashtu edhe në rastin e kundërt”, u shpreh Deschamps.

Rumania nuk fiton një ndeshje ndaj Francës që nga viti 1972, por në 5 ndeshjet e fundit kjo skuadër ka arritur të barazojë në 4 raste ndaj transalpinëve.

Top Channel